Pas suksesit ndaj Bjellorusisë, Shqipëria zbret sërish në fushë nesër në mbrëmje, këtë herë përballë San Marinos në kuadër të Nations League.
Kuqezinjtë synojnë të vijojnë serinë pozitive dhe të marrin një tjetër rezultat të rëndësishëm.
Bilanci historik është tërësisht në favor të Shqipërisë. Në katër përballjet e mëparshme mes dy skuadrave, kuqezinjtë kanë triumfuar në të gjitha rastet. Fitorja e fundit ndaj San Marinos u regjistrua në vitin 2021, ndërsa të martën Kombëtarja kërkon të përsërisë suksesin.
Pas sfidës me Bjellorusinë, lojtarët që patën minuta në fushë zhvilluan një seancë rikuperimi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës punoi me ngarkesë të plotë, duke u fokusuar në aspektin fizik dhe atë tekniko-taktik.
Gjithçka është gati për duelin e nesërm. San Marino dhe Shqipëria do të përballen në orën 20:45, në një ndeshje ku kuqezinjtë kërkojnë të ruajnë ecurinë pozitive dhe të marrin tre pikët.






