Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit Enver Dugolli, është Sekretari i ri i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes.
Ai është emëruar në këtë pozitë, bazuar në një votim në mënyrë unanime të kabinetit qeveritar në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
Propozim-vendimin për emërimin e Dugollit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm e prezantoi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se emërimi propozohet në raportin e komisionit vlerësues për rekrutimin e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese.
Maqedonci tha se Gafur Dugolli ka rezultuar si “kandidat i suksesshëm” pas zhvillimit të procedurave rekrutuese për këtë pozitë.
“Më lejoni që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, të propozojë për shqyrtim dhe miratim vendimin me anë të së cilit kërkohet emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Propozimi bazohet në raportin e komisionit vlerësues për zhvillimin e të gjitha fazave të procedurave të pozitave të larta drejtuese, përkatësisht për zgjedhjen e kandidatit të suksesshëm për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, z. Gafurr Dugolli”, tha Maqedonci.
Gafur Dugolli është vëllai i Enver Dugollit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje që udhëheq koalicionin qeveritar. Enver Dugolli është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili mbikëqyr punën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Para pozitës në të cilën është emëruar të mërkurën, Dugolli ka mbajtur pozitën e shefit i njësisë së protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes