Ish-deputetja në Kroaci, Emina Lekaj-Përlaskaj, ka shprehur bindjen e saj se Apeli do të hedhë poshtë aktakuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo tha se do të ndodhë njëjtë sikurse me gjeneralët kroatë të cilët ishin dënuar në vitin 2011 por qenë shfajësuar nga Apeli.
“Këtu qartë tregohet se bëhet fjalë për një aktgjykim të shkallës së parë dhe për këtë arsye Kroacia, gjegjësisht ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin përfundimtar të këtij aktgjykimi”, ka thënë Lekaj-Përlaskaj në Klan Kosova.
“Njashtu komenti im personal është që me të vërtetë nuk duhet të paragjykohet ky aktgjykim sepse nuk është vendim i prerë dhe mund të them se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kroaci para shumë viteve, gjegjësisht në vitin 2011 kur njëjtë kanë qenë të akuzuar edhe gjeneralët kroatë, dhe kur e bëj një krahasim të tyre siç ka qenë gjenerali Gotovina dhe Markaq, në vendimin e parë njëri ka marrë 24 vjet burg, tjetri 28 vjet burg, mirëpo pas apelit, ka rënë poshtë ky vendim dhe vendimi i shkallës së parë në mënyrë thelbësore ka ndryshuar në favor të gjeneralëve, dhe prapë them që ne duhet të shohim rezultatet përfundimtare, duhet t’i presim të gjitha proceset dhe procedurat gjyqësore pa bërë paragjykime të parakohshme se si do të jenë rezultatet përfundimtare”.
“Sipas përvojës së Kroacisë, në mesin e tyre kemi pasë edhe gjeneralin shqiptar Rrahim Ademin, Gotovinën, Markaqin dhe shumë të tjerë. Pra të gjitha këto aktakuza janë hedhur poshtë pas apelit dhe pritet njëjtë që edhe në këtë rast për katërshen e Kosovës të hidhen poshtë”.






