Tahiri: Secili deputet i PDK-së do ta mbështeste iniciativën për shpalljen e Thaçit president

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka thënë se çdo iniciativë për shpalljen e Hashim Thaçit president do të ishte një mesazh i rëndësishëm pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Duke folur në Debat Plus, Tahiri është pyetur nëse ekziston një iniciativë për shpalljen e Thaçit president dhe sigurimin e numrit të nevojshëm të votave, me qëllim që, sipas tij, t’i dërgohet mesazh Gjykatës Speciale se ajo nuk flet në emër të popullit të Kosovës.

“Shumë iniciativë e qëlluar për me përcjellë mesazhin e kësaj gjykate të turpshme, këtë vendim skandaloz që e ka kumtu sot dhe më e turpshmja kur në emër të popullit e fyen Ushtrinë Çlirimtare, e fyen gjakun e dëshmorëve. Andaj, do të ishte një mesazh shumë i duhur në këtë kohë, në këto rrethana”, ka deklaruar Tahiri.

I pyetur nëse kjo iniciativë do ta kishte mbështetjen e Grupit Parlamentar të PDK-së, Tahiri ka thënë se është i bindur se të gjithë deputetët e kësaj partie do ta mbështesnin.

“I bindur jam, secili deputet i PDK-së me nderin dhe privilegjin më të madh ia jep mbështetjen”, është shprehur ai.

Tahiri ka bërë të ditur se PDK-ja të enjten do të mbajë mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, ku, sipas tij, do të diskutohen veprimet që kjo parti do t’i ndërmarrë pas aktgjykimit.

“PDK-ja nesër e ka mbledhjen e Kryesisë dhe GP-së. Dhe PDK-ja do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme ta kundërshtojë këtë padrejtësi historike, këtë ditë të zezë që i është bërë shtetit dhe UÇK-së”, ka deklaruar Tahiri.

I pyetur nëse PDK-ja do të kthehej në Kuvend për këtë iniciativë, Tahiri ka thënë se partia e tij do të jetë aty ku, sipas tij, është interesi i shtetit dhe i kombit.

“Ne jemi aty ku është interesi i shtetit dhe kombit”, ka theksuar ai.

Të ngjashme

Të fundit