Aktgjykimi i Hagës, reagon Franca: Mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Kosovës

- Advertisement -

Pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Franca ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.

Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se është vënë në dijeni për vendimin në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, duke theksuar se palët kanë të drejtë ankese.

“Ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të ministrisë franceze.

Parisi zyrtar ka përsëritur gjithashtu mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe angazhimin e Francës në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

“Franca përsërit mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin e saj në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i Francës vjen pas reagimit të ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Zgjerim, Marta Kos.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Të ngjashme

Të fundit