Referi zbulon se çka i tha Zidane, pas kartonit të kuq në finalen e Botërorit 2006

- Advertisement -

Horacio Elizondo, referi i finales së Kupës së Botës 2006, ka zbuluar se Zinedine Zidane i tha se kartoni i kuq ishte vendimi i duhur, por njëkohësisht e pyeti: “A nuk e pe çfarë ndodhi më parë?”.

Më 9 korrik 2026 u shënua 20-vjetori i triumfit të Italisë në Kupën e Botës.

“Azzurrët” fituan ndaj Francës pas ekzekutimit të penalltive në finale, ndërsa Zidane u përjashtua me karton të kuq vetëm 10 minuta para fillimit të penalltive, pasi goditi me kokë Marco Materazzin.

Arbitri argjentinas Horacio Elizondo, i cili drejtoi atë finale historike, rrëfeu momentet që çuan në vendimin për ta ndëshkuar Zidanen dhe bisedën që pati me legjendën franceze para se ai të largohej nga fusha.

Ajo ishte gjithashtu ndeshja e fundit e Zidanes si futbollist profesionist, duke e bërë incidentin edhe më legjendar.

“Pashë që Materazzi nuk po ngrihej, ndaj ndala lojën dhe nisa të vrapoja drejt tij,” tha Elizondo për “Gazzetta dello Sport”.

“Teksa po vrapoja, pyeta ndihmësin e parë: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai më tha: ‘Nuk pashë asgjë.’ E njëjta gjë edhe me ndihmësin e dytë. Nuk e dinim çfarë kishte ndodhur”, shtoi ai.

“Në atë moment, arbitri i katërt, Medina Cantalejo, më tha: ‘Zidane e goditi Materazzin me kokë.’ Në ato çaste mendova: këta nuk panë asgjë, as publiku në stadium nuk e pa dhe nuk e dija nëse televizionet e kishin kapur momentin. Arbitri i katërt po më thotë se është karton i kuq, kështu që do ta jap kartonin e kuq, por duhet të bëj diçka që e gjithë bota ta kuptojë”, vazhdoi ai.

Elizondo tregoi se kishte frikë se tifozët në stadium nuk do ta kuptonin pse po e përjashtonte Zidanen, ndaj improvizoi një bisedë me një nga ndihmësit e tij.

“Nisa të flisja me ndihmësin, duke bërë sikur ai dinte diçka. Doja ta bëja këtë ‘aktrim’ që njerëzit ta kuptonin se po merrnim një vendim. I thashë: ‘Kanë mbetur edhe 10 minuta, qëndro i përqendruar.’ Pastaj u ktheva dhe i tregova kartonin e kuq Zidanes”, u shpreh ai.

Ai shtoi se ishte shumë kureshtar të shihte reagimin e francezit.

“Doja të shihja nëse Zidane do ta kundërshtonte vendimin. Kur më pa që po vrapoja me dorën drejt xhepit të pasëm për të nxjerrë kartonin, ai nisi të hiqte shiritin e kapitenit. Atëherë mendova: ‘Mirë, gjithçka mori fund’ dhe fillova të qetësohesha. Kur po shkruaja emrin e tij në fletën e ndeshjes, ai më preku në shpatull dhe më tha: ‘Qetësohu, kartoni i kuq është i drejtë, por a nuk dëgjove apo nuk e pe çfarë ndodhi më parë?’ I thashë: ‘Jo, çfarë ndodhi?’ Por ai vetëm u kthye dhe u largua”, tha ai.

Që nga ai triumf historik, Italia nuk ka zhvilluar më asnjë ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës.

“Azzurrët” u eliminuan në fazën e grupeve në Botërorët e viteve 2010 dhe 2014, ndërsa nuk arritën të kualifikoheshin fare në edicionet e viteve 2018, 2022 dhe 2026.

Të ngjashme

Të fundit