9 C
New York
Friday, April 18, 2025

Buy now

Referët me kamera trupi në Kupën e Botës, Collina: Do t’ia ofrojmë shikuesit një tjetër pamje

- Advertisement -

Në kupën e botës për klube arbitrat do të mbajnë kamera trupi. Duke shpjeguar vendimin përfaqësuesi i lartë i FIFA, Collina, theksoi se do të ofrohet një tjetër pamje për të parë ndeshjen.

Po ashtu ai tha se do të hyjë në fuqi rregulli për të kaluar në goditje dënimi nëse portierët mbajnë topin më shumë se 8 sekonda.

Ndërsa Kupa e Botës për Klube 2025 po afron me hapa të shpejtë, përgatitjet nuk janë në fokus vetëm për skuadrat pjesëmarrëse, por edhe për arbitrat, që do të kenë një rol kyç në një nga eventet më të rëndësishme të futbollit botëror.

Në muajt e fundit janë mbajtur një sërë takimesh dhe grumbullimesh për përgatitjen e gjyqtarëve ndërkombëtarë nga Azia, Afrika, Oqeania, Amerika e Veriut dhe e Jugut, për të përfunduar më 31 mars – 4 prill me fazën për arbitrat e UEFA-s.

Të gjitha aktivitetet janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e presidentit të Komitetit të Arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina, i cili theksoi se po monitorohen për formën fizike, shëndetin dhe përgatitjen e tyre, përcjell Ora News.

“Qëllimi është që të arrijmë në formën më të mirë të mundshme kur topi të nisë të rrotullohet në Miami.”, tha ai.

Një nga risitë më të spikatura do të jetë përdorimi i kamerave të trupit nga arbitrat, në kuadër të një eksperimenti të miratuar nga IFAB.

“Mendojmë se është një rast i mirë për t’i ofruar publikut një përvojë të re vizuale, nga një këndvështrim që nuk është parë më parë. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në kuptimin e vendimeve të arbitrit, pasi do të mund të shihet qartazi se si e ka parë ai situatën në fushë.”, shpjegoi Collina.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është zbatimi i rregullit të 8 sekondave për portierët.

Sipas këtij formati të miratuar më 1 mars nga IFAB dhe që do të hyjë në fuqi nga sezoni 2025/26, nëse portieri mban topin në duar më shumë se 8 sekonda, gjyqtari do të akordojë goditje nga këndi në favor të ekipit kundërshtar, një masë për të luftuar humbjen e kohës gjatë lojës.

Të ngjashme

Të fundit