José Mourinho, në stilin e tij, përcjell mesazhe sa herë që i jepet mundësia, përmes mediave, qoftë për lojtarët, tifozët apo skuadrat rivale.
Pas fitores 4-0 ndaj Malagas, trajneri portugez foli për mënyrën se si skuadra e tij e arriti këtë triumf.
Tifozët u argëtuan me golat e shumtë, por “Special One” theksoi se duhet parë edhe mënyra se si skuadra mbrohet.
“Është e rëndësishme që njerëzit janë argëtuar, por nëse e kanë një vizion për atë që është futbolli i nivelit të lartë, duhet ta shijojnë edhe pjesën e dytë. Aty e pamë një skuadër që punonte në mbrojtje, Vinicius humbiste topin dhe më pas kthehej për ta mbrojtur sërish. Futbolli nuk është vetëm ta shijosh bukurinë e golave, por edhe të shkosh në shtëpi duke menduar se jemi një bllok i vetëm. Mund t’i shënosh 121 gola në një sezon kur ke lojtarët më të mirë në sulm. Ne tashmë i kemi 10 gola në tri ndeshje, por disa ndeshje do t’i fitojmë 1-0 dhe do të largohemi po aq të lumtur”, deklaroi Mourinho, përcjell “Gazeta Express”.
Më pas, Mourinho foli edhe për qendërmbrojtësin, Dean Huijsen. “Nuk dua ta krahasoj me sezonin e kaluar. E takova në fillim të fazës përgatitore, gjatë ndeshjeve miqësore, dhe fola me të. Për mua, një mbrojtës qendror duhet të ketë cilësi me topin dhe besim për ta ndërtuar aksionin nga prapa… Por për mua, gjëja më e rëndësishme te një qendërmbrojtës është forca e tij dhe aftësia për t’i fituar duelet, duke ia dhënë skuadrës besimin se kemi dy lojtarë të fortë në prapavijë. Ai është zhvilluar shumë në një kohë shumë të shkurtër. E kam përshtypjen se e humbi një pasim mes linjave, por më pas ishte plotësisht dominues në duele dhe në mbulime. Më pëlqejnë qendërmbrojtësit që mbrohen mirë. Nëse më pas mund të jenë edhe elegantë dhe të mirë me topin, perfekt. Por fillimisht duhet të mbrosh”, përfundoi Mourinho.






