Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademaj, i është drejtuar me lutje mediave në Shqipëri, që të mos i publikojnë videot nga provat e rastit, duke kërkuar që t’i largojnë videot dhe të mos i shfaqin në televizione.
Ai ka shtuar se, këto prova kanë pasur qëllim që të të dëshmojnë dhe të vërtetojnë vrasjen e Liridona Ademajt.
Postimi:
Lutje për mediat në Shqipëri
Të nderuar përfaqësues dhe drejtues të mediave në Shqipëri,
Ne, si familje, jemi informuar se kanë filluar të qarkullojnë video nga provat e rastit të diskutuara në gjykatë.
Në Kosovë kemi kërkuar nga mediat që prova të tilla të mos publikohen dhe kemi hasur në një bashkëpunim shumë të mirë.
I lusim të gjitha mediat, gazetarët, komentuesit, blogerët dhe influencerët në Shqipëri që t’i largojnë nga platformat e tyre këto video dhe të mos i shfaqin në televizione.
Këto prova kanë pasur vetëm një qëllim, të dëshmojnë dhe të vërtetojnë vrasjen e motrës sonë. Ky qëllim tashmë është arritur dhe qarkullimi i tyre e denigron figurën e motrës sonë, krijon kujtime të tmerrshme për fëmijët e saj, të cilët nënën e tyre duhet ta kujtojnë ashtu siç ishte në jetë, dhe i shërben vetëm kureshtjes së publikut, e jo interesit publik.
Prandaj, ju lutemi shumë që ta dëgjoni thirrjen tonë.
Me respekt,
Leonard Ademaj me familje
Ndryshe, pak ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin e Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse Kushtrim Kokalla dënohet me 30 vite burg.






