Analistët për adresimin e Kurtit: Sinjalizon kërcënim ndaj opozitës – nëse s’pranoni ofertën, e pësoni

- Advertisement -

Dy njohës të çështjeve politike kanë vlerësuar se adresimi i fundit i kryeministrit Albin Kurti sinjalizon nisjen e fushatës elektorale dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja në vend.

Analisti Jeton Kelmendi ka deklaruar se përmes videos së tij, Kurti praktikisht ka nisur fushatën elektorale, duke theksuar se ai po kërkon të identifikojë një “fajtor politik” për situatën aktuale.

Sipas tij, kjo qasje është përdorur edhe më herët në diskursin politik dhe ka pasur ndikim në elektorat, ndërsa tani po vazhdohet me të njëjtën strategji.

“Me këtë adresim mund të thuhet se veçse ka filluar fushata elektorale. Të gjitha ishin taktizime të Kurtit dhe tanimë zyrtarisht me këtë video Albin Kurti dhe VV-ja kanë nisur kampanjën elektorale për zgjedhje që do të mbahen. Kurti kishte dhe vazhdon ta ketë synim që ta gjej një fajtor kujdestar, sepse kjo i ka rezoltuar zakonisht në elektorat dhe kemi pasur anën tjetër, sidomos LDK-në që i ka shkuar në takimet e tij natyrisht pa ndonjë kriter, e pa ndonjë artikulim të mirë dhe vetëm sa për t’u munduar dhe shfajësuar se nuk është fajtore për një gjë të tillë”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ai shtoi se situata aktuale politike mund ta çojë vendin drejt mungesës së presidentit dhe rrjedhimisht, zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë, profesori universitar Nexhmedin Spahiu e ka cilësuar adresimin e Kurtit si një mesazh politik me elemente kërcënimi ndaj opozitës.

Sipas tij, deklarata e kryeministrit përmban një mesazh paralajmërues ndaj partive opozitare në lidhje me pasojat e mospranimit të ofertave politike. Spahiu thotë se kjo lidhet me vetë deklaratën që e bëri Kurti rreth Fatmir Limajt.

“Adresimi i Kurtit përmes videos ishte mesazh kërcënues, që përmes saj kërcënoi liderët e opozitës që nëse nuk e pranoni këtë ofertë do të pësoni si Fatmir Limaj. Ky është mesazhi dhe poenta e krejt kësaj. Për Fatmir Limajn, kishte një ofertë Kurti, por jo një ofertë e pranueshme për Limajn edhe pse në zgjedhjet e 28 dhjetorit ai ra dhe nuk u fut në Parlament dhe tash po ua thotë të njëjtën partive opozitare që mund të pësojnë edhe më keq”, tha Spahiu në Tëvë1.

Ai shtoi se kjo mund të jetë edhe një përpjekje për një ofertë përfundimtare politike para skadimit të afateve kushtetuese, e cila mund të përfshijë edhe zgjidhje për postin e presidentit. /teve1.info/

Të ngjashme

Të fundit