Drejtori i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi komuna e Skenderajt anuloi një mbrëmje muzikore, pas vrasjes së Faton Hajrizit.
Petkoviq ka bërë pretendime se vrasësit e serbëve për Kosovën janë heronj.
“Kështu e kujtojnë Prishtina dhe Kurti kriminelin dhe terroristin që vrau policin serb Nikola Krsmanoviq! Ata anulojnë ngjarjet zyrtare në shenjë zie dhe e nderojnë atë. Vrasësit e serbëve për Kosovën janë heronj!” – ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura konfirmoi se është anuluar një mbrëmje muzikore e planifikuar për sonte.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se mbrëmja muzike në kuadër të “Ditëve të Mërgatës” është anuluar plotësisht.
“Pa gjykuar as edhe një fragment të jetës së tij, Fatoni ka qenë një qytetar i komunës sonë.
Aktivitetet e parapara për bashkatdhetarë do të vazhdojnë nga dita e nesërme.” – ka thënë ai.