Lozana kuqezi: Shqiptarët protestojnë me thirrjen “Drejtësi, jo politikë”

- Advertisement -

Flamuj kuqezi, simbole të UÇK-së dhe thirrje për drejtësi mbushën të shtunën qendrën e Lozanës, ku shqiptarë të brezave të ndryshëm u mblodhën në protestën e organizuar nga shoqata «Shoqëria e Re», në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përpara Palais de Rumine, (Place de Riponne) pjesëmarrësit shpalosën pankarta me mbishkrimet «Drejtësi, jo politikë», «Jo në emrin tim» dhe «Liri çlirimtarëve», duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, të cilin e konsiderojnë të padrejtë.

Familje me fëmijë, të rinj dhe të moshuar iu bashkuan manifestimit, duke e kthyer sheshin në një hapësirë të mbushur me simbole kombëtare. Në mesin e pankartave u panë edhe fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes fjalimeve dhe thirrjeve, pjesëmarrësit kërkuan lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke kundërshtuar dënimin e tyre dhe duke shprehur mbështetjen për luftën çlirimtare të Kosovës me thirrjen “Jo në emrin tim”, ata theksuan se nuk pranojnë që një dënim i tillë të jepet në emër të tyre.

Prania e disa brezave të diasporës shqiptare ishte një nga pamjet që karakterizoi protestën. Fëmijë me flamuj në duar, të shoqëruar nga prindërit dhe gjyshërit e tyre, morën pjesë në tubimin ku u përcollën mesazhe solidariteti me ish-krerët e UÇK-së.

Protesta në Lozanë vjen pas manifestimeve të tjera të diasporës shqiptare në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë atë të 27 shtatorit në Gjenevë. /Albinfo.ch/

Të ngjashme

Të fundit