Parlamentet studentore, organizatat dhe këshillat e studentëve nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren kanë shprehur mbështetje për protestën gjithëpopullore të iniciativës “Jo në emrin tim”, e cila mbahet nesër, më 5 tetor, nga ora 08:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Mbështetjen për protestën dhe kërkesën për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në e kanë shprehur:
* Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”;
* Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren;
* Organizata studentore “Unioni Demokratik Studentor”;
* Organizata studentore “Reforma”;
* Këshilli Studentor i Fakultetit Juridik të UP-së;
* Këshilli Studentor i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;
* Këshilli i Studentëve i Fakultetit Filozofik.
Përmes shpërndarjes së thirrjes për protestë, përfaqësuesit studentorë i janë bashkuar mobilizimit për pjesëmarrje dhe kërkesës drejtuar deputetëve që ta miratojnë ligjin.
“Ligji për UÇK-në duhet të kalojë nesër!”, është mesazhi i afishes së protestës, të shpërndarë edhe nga përfaqësuesit studentorë.
Tubimi është thirrur për mëngjesin kur Kuvendi pritet të mblidhet për shqyrtimin e ligjit. Ndërkohë, organizatori Çlirim Haziri ka njoftuar se protestuesit do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në shesh, për t’i pritur deputetët para seancës.
Mbështetja e strukturave studentore i shtohet kërkesës së protestuesve që, prej 19 ditësh, po kërkojnë miratimin pa vonesë të ligjit që mbron UÇK-në dhe çlirimtarët.






