Prokuroria kërkon dënimin e Sveçlës, mbrojtja kërkon aktgjykim lirues

- Advertisement -

Në fjalët përfundimtare në rastin e gazit lotsjellës, Prokuroria ka kërkuar që Xhelal Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, ndërsa mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurori Avni Namani ka renditur disa nga provat materiale dhe dëshmitë që, sipas Prokurorisë, dëshmojnë kryerjen e veprës penale nga Sveçla, shkruan Betimi për Drejtësi

Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Xhelal Sveçla e aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare. Sipas tij, pas përhapjes së një sasie të konsiderueshme të gazit, personat e pranishëm largohen nga salla.

Prokurori ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, përmes të cilit, sipas tij, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare të Kuvendit.

Gjithashtu, sipas Namanit, nga raporti i vendit të ngjarjes rezulton se janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës të gjetura në sallën e seancës plenare.

Prokuroria është thirrur edhe në vendimin e Kuvendit të vitit 2018, i cili, sipas Namanit, është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Sipas tij, në këtë vendim është konstatuar se seanca e jashtëzakonshme nuk ka mundur të vazhdojë për shkak të gazit lotsjellës dhe cenimit të shëndetit të deputetëve.

Namani ka thënë se në këtë vendim Sveçla është njëri nga deputetët ndaj të cilëve është shqiptuar masë disiplinore.

Prokurori ka përmendur edhe deklarimin e mëhershëm të Sveçlës se “kemi tentuar ta ndalojmë një tradhti”, duke thënë se Prokuroria e konsideron këtë deklarim si pranim të gjendjes faktike nga i akuzuari.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij. Ai ka thënë se edhe pamjet nga video-incizimet nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm, si kollitja dhe vjellja.

“Veprimet e të mbrojturit tim mbeten vetëm si një dyshim i arsyeshëm, prej të cilit, sipas ligjit, duhet të përfitojë i pandehuri”, ka deklaruar Prenaj.

Mbrojtja ka kërkuar nga Gjykata që, meqë sipas saj nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale, të nxjerrë aktgjykim lirues për Sveçlën.

Në fjalën e tij, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin ndodhet para gjykatës ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Lidhur me rastin që akuzohem dua të deklaroj se veprimi për të cilin sot ndodhem para jush ka qenë aktivitet politik me një qëllim të qartë, kundërshtimin dhe përpjekjen për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, përmes së cilës Kosova humbi 8 mijë e 200 hektarë. Demarkacioni ishte gabim atëherë dhe mbetet gabim edhe sot”, ka deklaruar Sveçla.

Të ngjashme

Të fundit