Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu, , ka folur për hetimet lidhur me rastet e spiunazhit dhe personat që dyshohet se kanë qenë të rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë – BIA, duke bërë të ditur se deri më tani janë shtatë raste të tilla dhe katër aktgjykime dënuese.
Kodraliu ka thënë se Prokuroria Speciale gjatë dy viteve të fundit ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë dukuri, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës.
“Më konkretisht, deri më tani kemi shtatë raste të spiunazhit me disa persona të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të strukturave nga Agjencia e Inteligjencës serbe (BIA)”, ka thënë Kodraliu për RTK-në.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë katër aktgjykime dënuese për veprat penale të spiunazhit, ndërsa dy prej tyre janë të formës së prerë.
“Më konkretisht, kemi dy aktgjykime dënuese të cilat veç janë të formës së prerë, respektivisht të të dënuarit Aleksandër Vlajiq, si dhe të të dënuarit tjetër Bojan Jevtiq, të cilët që të dy kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ne kemi ofruar edhe prova konkrete”, ka thënë ai.






