Stadiumi i Gjilanit tashmë është pajisur me sistemin e ri të reflektorëve, duke mundësuar zhvillimin e ndeshjeve edhe në orët e mbrëmjes, shkruan Scanner.
Për këtë investim ka reaguar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka theksuar se projekti “Ndriçojmë Futbollin” po vazhdon të zbatohet në stadiumet e Kosovës.
Ademi ka bërë të ditur se pas Klinës dhe Gjilanit, projekti së shpejti pritet të shtrihet edhe në Skenderaj.
Sipas tij, ndriçimi i stadiumit të Gjilanit është i rëndësishëm edhe për dy klubet e qytetit, SC Gjilanin dhe FC Dritën, të cilat do të kenë mundësi të zhvillojnë ndeshjet në kushte më moderne.
“Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës!”, ka shkruar Ademi. ⚽🇽🇰
Postimi i plotë:
💡 NDRIÇOJMË FUTBOLLIN EDHE NË GJILAN!
Projekti “Ndriçojmë Futbollin” po vazhdon të marrë jetë në stadiumet tona.
Pas Klinës, sonte është radha e Gjilanit, ku ndeshja po zhvillohet nën dritën e sistemit të ri të reflektorëve, duke shënuar një tjetër hap konkret në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Ky investim ka rëndësi të veçantë për futbollin gjilanas, pasi ky stadium është shtëpia e dy klubeve të qytetit, SC Gjilani dhe FC Drita, të cilat tashmë do të kenë mundësi t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre edhe në mbrëmje, në kushte më të mira për futbollistët dhe tifozët.
Ndeshjet nën reflektorë sjellin një atmosferë të veçantë në tribuna, më shumë mundësi për tifozët që të jenë pranë skuadrave të tyre dhe kushte më të mira për organizimin dhe transmetimin e ndeshjeve.
Nga Klina në Gjilan, e së shpejti edhe në Skenderaj, po vazhdojmë hap pas hapi realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.
💡 Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës! ⚽🇽🇰
#mefutbollinpërkosovën






