Profesori amerikan i shqetësuar: Për shkak të buxhetit të madh dhe pagave të larta, Specialja mund të ketë motivim për t’i dënuar krerët e UÇK-së

- Advertisement -

Profesori amerikan, Edward P. Joseph, është shprehur i shqetësuar se në Gjykatën Speciale mund të ketë një motivim, me vetëdije ose pa vetëdije, për të shpallur një aktgjykim dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimi për të cilët do të merret më 16 shtator.

“Unë nuk kam asnjë informacion të veçantë dhe askush nuk duhet të mendojë se kam. Jam si të gjithë të tjerët, thjesht po vëzhgoj. Do të thosha se jam i shqetësuar. Nuk do të bëj një parashikim, por jam i shqetësuar se mund të ketë, me vetëdije ose pa vetëdije, një motivim që kjo gjykatë të shpallë ndonjë dënim për të pandehurit”, tha Joseph për Ekonomia Online.

“Sepse, si mund ta justifikojnë ndryshe këtë proces shumëvjeçar dhe shumë të kushtueshëm, pagat e tyre të larta, stafin e tyre dhe gjithë atë mbështetje?”

“Pra, ata kanë një buxhet të madh, dhe pastaj ju merrni ish-presidentin Thaçi, e largoni nga detyra këtu dhe e çoni atje lart, e në fund nuk keni asgjë? Nuk ka asnjë dënim?”

Ai u shpreh i shqetësuar se ky mund të jetë një motivim i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kanë kërkuar drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para saj janë mbajtur edhe dy protesta të tjera në kryeqytetin e Kosovës, si dhe nga një në Tiranë, Hagë, Strasburg dhe Shkup.

Fillimisht ishte paraparë që aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të shpallej më 19 maj, por më pas u shty për 20 korrik. Më vonë u shty sërish dhe, përfundimisht, u caktua për 16 shtator.

Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre, gjithsej 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023, më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill 2025, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në mbështetje të krerëve të UÇK-së kanë dëshmuar figura të rëndësishme ndërkombëtare, si ish-ndihmëssekretari amerikan James Rubin, ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan Chris Hill, etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç përpiqet ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Nga njohës të çështjeve juridike, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, vazhdimisht janë shprehur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Ai është konsideruar i anshëm; është kritikuar pranimi i provave nga Serbia, janë ngritur dyshime për shkelje të të drejtave të njeriut dhe është pretenduar se janë fshehur prova shfajësuese.

Që në Speciale të zhvillohet një proces i drejtë është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku kërkohej, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.

Të ngjashme

Të fundit