Prishtina humb pa e luajtur fare ndeshjen ndaj Pejës, shkak obligimet financiare

- Advertisement -

Sigal Prishtina e ka humbur “në tavolinë” ndeshjen ndaj KB Pejës për shkak të mospërmbushjes së obligimeve financiare.

Ata thanë se pagesat e kërkuara nga avokati i tyre janë kryer ndonëse me një vonesë të caktuar.

“Ndeshja e paraparë të zhvillohet nesër ndërmjet KB Sigal Prishtina dhe KB Peja nuk do të zhvillohet dhe, në përputhje me rregulloret në fuqi, do të regjistrohet me rezultat zyrtar”, ka njoftuar Prishtina në Facebook.

“Shkak i kësaj situate janë obligimet financiare të krijuara ndaj agjentëve dhe disa lojtarëve, të cilat datojnë që nga fillimi i sezonit të kaluar”.

“Këto obligime, për shkak të mosrespektimit të afateve të pagesave në periudhën përkatëse ne fund te vitit 2025, kanë çuar në paraqitjen e rasteve pranë FIBA-s dhe Basketball Arbitral Tribunal (BAT) dhe, me kalimin e kohës, detyrimet janë akumuluar dhe kanë arritur në shuma të konsiderueshme”.

“Nga ana jonë, pagesat e kërkuara nga avokati ynë, i cili na përfaqëson pranë FIBA-s, janë kryer, ndonëse me një vonesë të caktuar. Megjithatë, procedurat pranë FIBA-s janë të ngarkuara edhe me raste të tjera të klubeve që janë në radhë para nesh dhe që përballen me probleme të ngjashme”.

Prishtina tha se gjatë tërë kësaj kohe janë angazhuar në maksimum, dhe se pavarësisht përpjkejeve të tyre dhe Federatës, vendimi përfundimtar nuk ka qenë në kompetencën e tyre.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, jemi angazhuar maksimalisht, ku falënderojmë edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, e cila ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe ka ofruar mbështetjen e saj për zgjidhjen e situatës”.

“Pavarësisht përpjekjeve tona dhe të Federatës, vendimi përfundimtar dhe koha e përfundimit të procedurës pranë FIBA-s nuk kanë qenë në kompetencën tonë”.

“Shihemi në ndeshjen e radhës kundër Vllaznimit në Gjakovë”.

Të ngjashme

Të fundit