Portieri i Llapit, Ilir Avdyli ka pranuar se ndihet shumë krenar që është grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës për miqësoret e këtij muaji.
Avdyli që ka treguar formë të mirë këtë edicion në Superligën e Kosovës, ka thënë se ndihet i privilegjuar që është pjesë e “Dardanëve”. Avdyli ishte i pranishëm në dy seancat e para stërvitore të Kosovës, që u mbajtën në kampin nacional të FFK-së në Hajvali.
“Privilegj i madh të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës. Kam qenë pjesë e grumbullimit edhe para 7 vitesh kur nuk ishim të pranuar, por sot është krejtësisht ndryshe, ka konkurrencë të fortë dhe është ndjenjë tejet e veçantë”, është shprehur Avdyli. Kosova më 22 mars luan me Armeninë, ndërsa më 26 mars përballet me Hungarinë. Të dyja ndeshjet, Kosova do t’i luaj në udhëtim.