Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit ka dënuar çdo akt dhune, duke theksuar se mbetet e vendosur në misionin e saj për “garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar”.
Sipas autoriteteve policore, situata e krijuar kërkon një ndarje të qartë mes të drejtës së qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe përgjegjësisë individuale të punonjësve të rendit. Në njoftim theksohet se “asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar, sikundër asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës”.
Reagimi i policisë erdhi pasi deputeti i PD-së, Kliti Hoti, mbeti i goditur me plumb gome nga një punonjës policie. Nisur nga ky incident, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë “pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A.”.
Për këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor duke u bazuar në pamjet filmike dhe faktet e mbledhura, duke vënë në dukje se “punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome”.
Paralelisht me hetimin e brendshëm administrativ, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ka ndërmarrë veprimet e para hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat ligjore të ngjarjes.
Në përfundim të njoftimit, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen qartë nga individët e maskuar dhe të dhunshëm. Institucioni ka ripërsëritur thirrjen për të ushtruar të drejtën e protestës në mënyrë paqësore, duke paralajmëruar se do të zbatojë me rigorozitet “parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht se nga kush kryhet”.
Qëndrimi zyrtar përmbyllet me zotimin se çdo shkelje e mundshme dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave do të trajtohet me “objektivitet, transparencë dhe përgjegjësi institucionale, në përputhje të plotë me ligjin”.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka nisur zyrtarisht veprimet procedurale për të zbardhur rrethanat e incidentit të regjistruar ditën e sotme, më 29 nëntor 2026, pranë zonës së Hotel Dajtit në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar të institucionit, objekti i verifikimeve lidhet me rastin ku “shtetasi Kliti Hoti, 56 vjeç, deputet i Partisë Demokratike, dyshohet se është goditur me plumb gome në shpinë”. Hetuesit e AMP-së, nën drejtimin e organit të akuzës, po kryejnë procedurat e nevojshme ligjore për të dokumentuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale të efektivëve të angazhuar në terren.
Në mbyllje të reagimit të saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nënvizon se “mbetet e angazhuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore për verifikimin dhe hetimin e çdo rasti që lidhet me veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit”. Ky angazhim, sipas AMP-së, ka si synim kryesor “garantimin e ligjshmërisë dhe përgjegjshmërisë institucionale”./rtsh.al/






