Alarm në VIVA FRESH-in e biznesmenit Rexhepi: AUV zbulon dy baktere në produktet e mishit, urdhëron tërheqjen nga tregu

- Advertisement -

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të bluar Premium “Çobani” dhe përshutës së gjedhit, të tregtuara nga rrjeti i marketeve VIVA FRESH, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e baktereve Escherichia coli dhe Listeria monocytogenes në këto produkte.

Sipas AUV-së, në mishin e bluar “Çobani” është konstatuar tejkalim i vlerës referuese për bakterin Escherichia coli, ndërsa në përshutën e gjedhit është konfirmuar prania e bakterit Listeria monocytogenes, i cili nuk lejohet të jetë i pranishëm në 25 gramë të produktit.

AUV ka bërë të ditur se inspektimi i jashtëzakonshëm është realizuar në objektin e përpunimit të mishit të operatorit VIVA FRESH SH.P.K., në Gushtericë të Poshtme, në Komunën e Graçanicës.

Në komunikatën e saj, AUV ka specifikuar se te mishi i bluar Premium “Çobani”, me lotin nr. 13112147, analizat kanë evidentuar tejkalim të vlerave të lejuara.

“Sipas raportit të testimit nr. 5552/2026, në tri nga pesë njësitë e testuara është konstatuar tejkalimi i vlerës referuese prej 50 CFU/g për bakterin Escherichia coli, me vlerën më të lartë të regjistruar prej 153 CFU/g”, thuhet në komunikatën e AUV-së.

Ndërkaq, në përshutën e gjedhit, me lotin nr. 1211695, laboratori ka konstatuar praninë e një bakteri tjetër, Listeria monocytogenes.

“Sipas raportit të testimit nr. 5551/2026, është konstatuar prania e bakterit Listeria monocytogenes, në kundërshtim me kriterin mikrobiologjik që përcakton mungesën e këtij bakteri në 25 gramë produkt”, ka njoftuar AUV.

Të dy produktet janë klasifikuar si të pakënaqshme pas rezultateve të analizave laboratorike.

“Rezultatet për të dy produktet janë klasifikuar si të pakënaqshme, në përputhje me Rregulloren Nr. 27/2012 për Kriteret Mikrobiologjike në Produktet Ushqimore dhe Rregulloren Nr. 09/2018 për plotësimin dhe ndryshimin e saj”, thuhet në njoftim.

Delta M dhe Buquku në zinxhirin e furnizimit

Gjatë inspektimit, AUV ka identifikuar edhe furnizuesit e lëndës së parë për këto produkte.

Sipas dokumentacionit të gjurmueshmërisë, për mishin e bluar “Çobani”, furnizuesit e lëndës së parë janë Delta M dhe Buquku – Pejë, ndërsa për përshutën e gjedhit furnizues është evidentuar vetëm Delta M.

“Sipas dokumentacionit të gjurmueshmërisë të evidentuar gjatë inspektimit, furnizuesit e lëndës së parë janë Delta M dhe Buquku – Pejë”, thuhet në komunikatën e AUV-së për mishin e bluar.

Për produktin tjetër, agjencia ka specifikuar se “sipas dokumentacionit të inspektimit, furnizuesi i lëndës së parë është Delta M”.

Megjithatë, AUV ka bërë të ditur se identifikimi i burimit të kontaminimit kërkon kontrolle të mëtejshme në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe jo vetëm në objektin ku janë përpunuar produktet.

“Për identifikimin e burimit të kontaminimit, kontrollet e mëtejshme duhet të shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë verifikimin e origjinës së mishit, gjurmueshmërinë e lëndës së parë, kontrollet te furnizuesit, si dhe respektimin e kërkesave higjieno-sanitare gjatë përpunimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së produkteve”, thuhet në komunikatë. /Ekonomiaonline/

Të ngjashme

Të fundit