Mbledhja e Komisionit për Buxhet, ku ishte paraparë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka dështuar për mungesë kuorumi pas kundërshtimeve për mënyrën e prezantimit të projektligjit
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka kundërshtuar mbajtjen e pikës në rend dite në mungesë të ministrit, duke kërkuar që shqyrtimi të shtyhet.
“Ne kemi pasur praktikë që të kemi vetëm ministrin, nuk është mirë që të ndryshojmë këtë. Përderisa nuk kemi përfaqësues nga ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që komisioni të votojë për mundësinë që projektligjin ta prezantojë zëvendësministri ose sekretari i ministrisë, duke theksuar rëndësinë e tij për buxhetin e shtetit.
“Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë edhe në legjislaturën e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Duke pasur parasysh ligjin, unë ju ftoj kolegë deputetë që të votojmë mundësinë që zëvendësministri, sekretari, të jetë prezent dhe ta prezantojë ligjin”, tha Nagavci.
Gjatë diskutimit, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar mënyrën e hartimit dhe miratimit të ligjeve, duke pretenduar se disa prej tyre janë kthyer nga Gjykata Kushtetuese për shkak të shkeljeve procedurale.
“Në praktikën e Kuvendit jo shumë ligje kanë rënë nga Gjykata Kushtetuese, po vijmë prapë në pikën se asnjëherë nuk keni bërë ligje si duhet. Po vijmë në një situatë ku shpejt e shpejt po bëhen ligje që pastaj po dërgohen në Kushtetuese. Rruga më e shkurtër shkon te Gjykata Kushtetuese dhe tregon se ju jeni shkelës të mëdhenj të Kushtetutës”, tha Haxhiu.
Kryetari i komisionit, Enver Haliti nga Vetëvendosje, ka kundërshtuar këtë vlerësim, duke thënë se ligjet e përmendura nuk janë shpallur antikushtetuese, por janë kthyer për shkak të afateve procedurale.
“Janë për shkak të afatit që mes dy leximeve nuk kanë qenë 72 orë”, tha Haliti.
Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Valon Hoti, ka thënë se çështja lidhet me procedurën dhe jo me përmbajtjen e ligjeve.
“Asnjë nga ligjet nuk ka qenë antikushtetues, ka qenë për shkak të kohës së shkurtër që deputetët t’i lexojnë ato ligje. Tjetër gjë është shkelje, tjetër gjë është tejkalim i procedurës”, tha Hoti.
Debati ka vazhduar mes Haxhiut dhe Nagavcit, ku të dyja deputetet kanë shkëmbyer akuza.
“Arbërie Nagavci është shkelëse e Kushtetutës, jeni shkelës numër një të Kushtetutës”, tha Haxhiu.
Nagavci është përgjigjur duke thënë se ka ngritur padi ndaj Haxhiut dhe se pret që çështja të shqyrtohet nga gjykata.
“Unë kam bërë padi për të, nuk do të më ndalë, pres që gjykata ta shqyrtojë rastin, tendenca e saj për shpifje do të evidentohet”, tha Nagavci.
Haxhiu më pas ka përmendur edhe pretendime lidhur me përfshirjen e Nagavcit në çështje që kanë të bëjnë me mësimdhënësit dhe trajnimet.
“Për atë që kam thënë e përmendi, ka ndërhyrë në çështje të mësimdhënësve duke kërkuar të shkojë në një trajnim. Motra e saj ka qenë drejtoreshë e organizatës, i ka thirrur me shku në trajnim kjo dhe vetë motra e saj”, tha Haxhiu.
Pas debatit, zëvendësministri u ftua për të prezantuar projektligjin, por prezantimi i tij u kundërshtua nga Lushtaku dhe Haxhiu. Si pasojë, në mungesë të kuorumit, mbledhja e Komisionit për Buxhet nuk arriti të vazhdojë






