15 C
New York
Monday, November 23, 2026

Buy now

Buka dyfish, mielli mbi dyfish: çfarë i ndodhi matematikës së Kurtit?

- Advertisement -

Pranë arkës së një minimarketi afër zyrës ku punoj, aty ku përfundon çdo blerje e vogël, rri gjithmonë një grumbull krembanane. Atë ditë mora një, pa e menduar. “Sa kushton?” e pyeta shitësin. “45.” Dyzet e pesë centë. Kisha kohë pa blerë krembanane, por jo aq sa të mos e ndjeja çmimin si një shkelje të vogël. “Qysh bre, 45 centë një krembanane?”.

Ai nuk u çudit. Shitësit e sotëm janë stërvitur për habinë e blerësve. “Aaa, këto janë shumë të mira,” tha. “Janë prej Italie.” Nuk e zgjata. E mora.

Arsyeja nuk ishte uria, as kurioziteti për Italinë. Ishte nostalgjia. Kur isha fëmijë, prindërit ose gjyshi më dërgonin në market për gjëra shtëpie dhe shpesh shitësi nuk kishte me se të ma kthente kusurin. “Merre këtë për kusur, s’i kam me t’i kthy 5 centë,” më thoshte. Nëse më takonin dhjetë centë, më jepte dy krembanane. Isha i lumtur. Mezi prisja të dilja jashtë për ta hapur qesen e llastikut ku ishte e mbështjellë.

Normalisht, edhe sot ka krembanane më të lira; nuk e kanë të gjitha këtë çmim. Por, kujtesa e kishte bërë llogarinë para meje: ajo që dikur vlente pesë centë tani kushtonte nëntë herë më shumë.

Një krembanane nuk e mbush shportën, por mjafton ta shndërrosh kusurin e një fëmije në kusurin e një familjeje për të parë ku të çon pyetja. Çfarë ka ndodhur me çmimin e bukës…? Dhe, më pak e rehatshme: kush kishte premtuar se do të ulej?

Kur ishte ende në opozitë, Albin Kurti, me fjalë të përzgjedhura, u premtonte qytetarëve se kur ai do të vinte në pushtet, do ta mbushnin shportën me gjëra ushqimore me më pak para se atë kohë. “Shporta e konsumatorit kosovar nuk do të jetë më e lehtë për nga pesha, por do të jetë më e lirë për nga çmimi”, thoshte Albin Kurti në vitin 2014.

Shpjegonte në detaje, jepte numra se si produkteve bazë do t’u zvogëlohej çmimi. “Buka që është 36 centë bëhet 31 centë. Ndërkaq, buka e cila është më e lirë, 30 centë bëhet 26 centë. Qumështi i cili mesatarisht kushton 91 centë bëhet 78 centë për litër. Ndërkaq, qumështi i cili kushton më lirë, pra 85 centë, bëhet 73 centë për litër. Mandej, sheqeri i cili mesatarisht kushton 72 centë do të bjerë në 62 centë”, thoshte Kurti më 8 maj 2014.

Si do ta bënte? Përmes heqjes së TVSH-së. “Për bukën, ujin, qumështin, vajin, kripën, sheqerin, miellin, librat TVSH-ja zero”, pohonte ai.

Çfarë ndodhi kur erdhi në pushtet? Refuzoi që ta hiqte TVSH-në, argumentonte se nuk krijon mirëqenie, ndonëse vetë e kishte premtuar. “Nuk ka nevojë me e heq TVSH-në, sepse dihet që vetëm zvogëlon buxhetin dhe nuk krijon mirëqenie sociale, siç ke synuar”, thoshte Kurti në vitin 2023.

Refuzoi ta hiqte TVSH-në dhe akcizën edhe për produktet e naftës kur çmimet e saj u rritën më së shumti ndonjëherë pas luftës në Iran. “Këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen nga përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve”, tha Kurti më 30 mars 2026.

Ndërkohë, në raftet e supermarketeve në Kosovë, buka dhe mielli, nën qeverisjen e Kurtit, e kanë përjetuar më rëndë se çdo gjë tjetër kalimin e viteve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një kilogram miell gruri, që në vitin 2018 kushtonte mesatarisht 0.40 euro, në tetor të këtij viti shitet 0.81 euro, pra çmimi i tij është rritur më shumë se dyfish (103 për qind). Buka e bardhë prej 500 gramësh ka shkuar nga 0.29 në 0.56 euro, me një rritje prej 93 për qind.

Mishi është shtrenjtuar në mënyrë të ndjeshme. Kilogrami i mishit të gjedhit pa eshtra ka shkuar nga 6.71 në 12.02 euro, apo 79 për qind rritje, ai i viçit nga 7.32 në 13.27 euro, apo 81 për qind rritje, ndërsa pula nga 2.61 në 4.89 euro, 87 për qind rritje.

Vaji i lulediellit për një litër është rritur nga 1.05 në 1.75 euro, rritje për 67 për qind, jogurti nga 0.85 në 1.34 euro, rritje për 58 për qind, 30 vezë nga 2.43 në 3.41 euro, rritje për 40 për qind, ndërsa orizi nga 1.31 euro për kilogram ka arritur në 1.69 euro dhe te molla, nga 0.92 në 1.19 euro për kilogram, secila me rreth 29 për qind rritje.

Aktualisht, Kosova e ka inflacionin më të lartë në rajon. Në muajin tetor, sipas të dhënave të ASK-së, inflacioni në Kosovë është 7.1 për qind.

Si masë të vetme ndaj rritjes së çmimeve, Qeveria ka shpërndarë nga 100 euro për qytetarët dhe këtë e ka bërë në kohë zgjedhjesh.

Kurti kishte premtuar edhe zvogëlimin e çmimit të faturave të energjisë elektrike. “Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”, thoshte Kurti më 26 shtator 2019.

Jo që nuk u zvogëlua, por u rritën tri herë tarifat e energjisë elektrike gjatë qeverisjes së tij. Ndërkohë, sipas të dhënave të Atlas Institute, nga janari i vitit 2021 deri në shtator 2026, Kosova importoi 1.03 miliard euro energji elektrike.

Për shumë familje në Kosovë, produktet bazike: buka, mielli, vaji, rryma, tashmë e marrin pothuajse gjithë pagën. Dhe megjithatë njeriu nuk jeton vetëm nga ajo që i duhet për të mbijetuar. Ai punon, vepron e ngrihet çdo mëngjes edhe për atë që nuk e mban gjallë, por e bën jetën jetë: një kafe pa llogari dhe një pushim që e lë njeriun të pushojë. Me këtë standard, ndërsa produktet bazë mezi përballohen, çdo gjë tjetër që duhej të ishte pjesë e jetës mbetet jashtë saj.

Për këto vite qeverisje të Albin Kurtit, njeriut që dikur premtonte se shporta do lirohej para se të bëhej më e lehtë, ndodhi pikërisht e kundërta: shporta u bë më e lehtë, sepse çmimet u rritën./vox.kosova/

Të ngjashme

Të fundit