Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e Albanian American Relations Council në New York, ku ka shprehur mirënjohjen e Prishtinës dhe Kosovës për mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rama ka bërë të ditur se gjatë kësaj mbrëmjeje u nderua gjenerali Wesley K. Clark me çmimin “Kalorësi i Skënderbeut”, për lidershipin dhe kontributin e tij në një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
Me çmimin “Nënë Tereza” u nderua edhe Bruno Selimaj, për kontributin dhe përkushtimin e tij ndër vite ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan.
Rama ka falënderuar Albanian-American Relations Council dhe drejtuesit e tij për organizimin dhe punën në fuqizimin e zërit të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.
Ai ka theksuar se historia e Kosovës dëshmon se bashkëpunimi mes shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në Amerikë ka ndihmuar që zëri i tyre të dëgjohet më fuqishëm në botë.
“Detyra jonë është që këtë kapital historik të miqësisë me Shtetet e Bashkuara ta kthejmë në partneritet edhe më të fuqishëm për të ardhmen, për paqen, demokracinë, zhvillimin dhe gjeneratat që vijnë”, ka shkruar Rama.
Ai ka përfunduar duke theksuar se Kosova nuk do t’i harrojë ata që e mbështetën në kohën kur liria e saj ishte ende një ëndërr.






