Për dhjetë muaj u aprovuan 944 urdhra mbrojtës, 90 raste të dhunës në familje patën epilog lirues

- Advertisement -

Arlinda Zekaj u bë shembulli i fundit i një gruaje që ani pse ka urdhër mbrojtje nga Gjykata, përfundoi e vrarë.

Përgjatë kësaj jave, një grua tjetër që kishte urdhër mbrojtje nga gjykata, u kanos nga ish bashkëshorti.

Këto nuk janë rastet e vetme që gjyqësori ka vendosur që duhet të jenë nën urdhra mbrojtës.

Brenda dhjetë muajve të këtij viti, gjykata e Kosovës kanë aprovuar 944 urdhra mbrojtës.

Pjesa më e madhe e tyre janë në rajonin e Prishtinës, me gjithsej 150 urdhra mbrojtës.

Më pas vjen rajoni i Gjakovës me 93 urdhra mbrojtës, pasur nga Mitrovica me 90 urdhra mbrojtës.

Këto urdhra mbrojtës konsiderohen si të rëndësishme për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

“Urdhrat mbrojtës janë shumë efikas në parandalimin dhe sigurimin e viktimave në dhunë në familje. Mirëpo, konsideroj se neglizhenca e zyrtarëve që janë zyrtarë për menaxhimin apo mbikëqyrjen e këtyre urdhrave mbrojtës duhet të mos ekzistojë. Por duhet të jetë një vetdije më e madh, sidomos e Policisë”, ka thënë Gashi.

E pikërsisht në zbatueshmërinë e tyre, në Qendrën për Ndihmë Juridike po vlerësohet se ka hapësira të cilat çojnë në shkelje të urdhrave mbrojtës.

“Është shumë e nevojshme të ketë zbatim të mirëfilltë por edhe monitorim të vazhdueshëm. Për shkak se pikërisht si rrjedhojë e shkeljes së urdhërave mbrojtës aty mund të merren sinjale të vazhdueshme të cilat janë të nevojshme për vlerësimin e përgjithshëm të rrezikut. Sepse thjesht kjo e tregon edhe shenjat e para të përshkallëzimit të dhunës, të elementeve të tjera të nevojshme në këtë situatë”, u shpreh Rezniqi.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 130 kërkesa për urdhër mbrojtje ishin trashëguar nga viti paraprak.

Kurse, në proces shqyrtimi janë edhe 138 kërkesa.

Nga 1 janari 2026, e deri më 29 tetor 2026, në sirtarët e gjyqësorit janë 909 raste të dhunës në familje.

Prej tyre, 676 raste kanë pasur epilog fajësues, 139 raste me epilog dënimin me burg, 396 raste përfunduan me dënim me gjobë, kurse 438 raste me dënim me kusht.

Nga rastet e dhunës në familje që Gjykata e Kosovës trajtuan përgjatë këtij viti, 90 patën epilog lirues, ndërsa 102 raste epilog refuzues. /Teve1/

Të ngjashme

Të fundit