Avioni që po shkonte në Moskë kthehet në Beograd, dyshohet se në bord ishin Vulin, Bajatoviq dhe Popoviq.
Avioni i kompanisë ajrore Air Serbia, i cili sonte ishte nisur nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd drejt Moskës, është kthyer në drejtim të Beogradit, raporton mediumi serb Nova.
Sipas informacioneve jozyrtare të këtij mediumi, në avionin me numër fluturimi JU134 ndodheshin presidenti i Lëvizjes së Socialistëve, Aleksandar Vulin, drejtori i kompanisë “Srbijagas”, Dusan Bajatovic, si dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNP), Nenad Popovic.
Avioni ishte nisur në orën 18:48 dhe kishte arritur deri në një qytet në jug të Lituanisë, kur, sipas raportimit, është dhënë urdhër që të kthehej në Beograd.
Arsyeja e kthimit dyshohet të ketë qenë siguria. Sipas burimeve të këtij mediumi të Beogradit urdhri për kthimin e avionit është dhënë nga drejtori i sigurisë korporative të Aeroportit të Beogradit.
Deri më tani, këto informacione mbeten jozyrtare dhe nuk ka konfirmim publik për identitetin e udhëtarëve apo arsyen e saktë të kthimit të avionit.
Rasti vjen pasi kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srđan Milivojević, kishte publikuar më herët në rrjetin social X një pyetje lidhur me udhëtimin drejt Moskës: “Dhe kush është ai që sonte po ikën për në Moskë me fluturimin e orës 18:30?”.






