Edhe të dielën do të ketë protesta në kërkim të drejtësisë e përgjegjësisë institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë të ditur se protesta do të organizohet me fillim prej orës 17:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Do të jetë dita e pestë rresht e protestave.
E të dielën bëhen një javë prej vrasjes së 49-vjeçares nga ish-kunati i saj.
“Të dielën shihemi prapë te sheshi Zahir Pajaziti në ora 17:00. Nesër bëhen shtatë ditë nga dita kur Arlinda Zekaj u vra e pesë ditë që ne jemi në rrugë duke kërkuar drejtësi për të e për çdo grua të vrarë. Pesë ditë që me ngulm kërkojmë siguri dhe liri për çdo grua të gjallë. Kërkesat tona janë të qarta por shteti vazhdon të refuzojë të na dëgjojë. Ne nuk zmbrapsemi dhe çdo ditë që çel do të na gjejë në sheshe e përballë institucioneve që e dështuan Arlindën e po vazhdojnë ta dështojnë çdo çikë e gru në Kosovë. Këtë të diel mos rrini në shtëpi, dilni e bashkohuni në protestë. Le ta çojmë amanetin e Arlindës në vend”, thuhet në thirrjen e Kolektivit për protestë.






