Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka zhvilluar një takim në Athinë me homologun e tij të Greqisë, George Gerapetritis, ku në fokus të diskutimit kanë qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Përmes një postimi, Konjufca ka vlerësuar përkrahjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e saj në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi të intensifikohet përmes dialogut më të rregullt politik dhe forcimit të lidhjeve ekonomike.
Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia.
Konjufca ka theksuar se njohja nga Athina do të përbënte një hap të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe dhe fqinjësinë e mirë në rajon.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se e ka ftuar kryediplomatin grek që takimin e radhës ta zhvillojnë në Kosovë.






