Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të dëshmojë profesionalizëm dhe përkushtim në ngritjen e kapaciteteve të saj përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerët strategjikë.
OR-5 Valdrin Rrecaj, pjesëtar i Mbrojtjes së Afërt në kuadër të Policisë Ushtarake të FSK-së, ka përfunduar me sukses Kursin e Mbrojtjes së Afërt në Mbretërinë e Bashkuar.
Trajnimi nëntëjavor ishte intensiv dhe me kërkesa të larta fizike e profesionale. Nga gjithsej 30 pjesëmarrës që nisën kursin, vetëm 14 arritën ta përfundonin me sukses.
Gjatë këtij programi, pjesëmarrësit u përballën me skenarë të ndryshëm operacionalë, përfshirë ushtrime të evakuimit me helikopter, duke zhvilluar aftësitë dhe gatishmërinë e tyre për situata të ndryshme.
Pjesëtari i FSK-së e përfundoi kursin me rezultate të larta dhe vlerësim të shkëlqyeshëm nga instruktorët, duke dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe nivel të lartë të përgatitjes.
Ky trajnim u realizua në bashkëpunim me Ushtrinë Britanike dhe Policinë Ushtarake Mbretërore (Royal Military Police), duke dëshmuar edhe një herë partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve ushtarake të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Njohuritë dhe përvoja e fituar nga ky trajnim do të shërbejnë në avancimin e mëtejmë të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake të FSK-së, si dhe në zbatimin e standardeve më të avancuara ndërkombëtare.






