Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me etiketimet ndaj veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bashkëpunëtorëve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke i cilësuar ata si UDB-ashë në studio televizive.
Në një postim, Osmani ka thënë se këto etiketime po bëhen edhe në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, duke kritikuar gjuhën e përdorur ndaj atdhetarëve dhe veprimtarëve të LDK-së.
“ Në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, qytetarët e Kosovës detyrohen të dëgjojnë në studio televizive një tjetër ligësi: atdhetarët më të spikatur të këtij vendi, veprimtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Rugova, të etiketohen si UDB-ashë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se, sipas saj, urrejtja ndaj LDK-së ka arritur deri në njollosjen e atyre që janë vrarë, ndërsa ka theksuar se kërkimi i së vërtetës dhe drejtësisë për vrasjet e pazbardhura nuk duhet të cilësohet si përçarje.
“Deri këtu paska arritur urrejtja ndaj LDK-së: të njollosen edhe ata që u vranë, vetëm pse kërkojmë të vërtetën për vrasjet e tyre dhe drejtësi për krimet që ende nuk janë zbardhur”, ka deklaruar ajo.






