Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, ka konfirmuar se gjatë mëngjesit të sotëm ka qëndruar në Banjë të Malishevës së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Hoti tha se së bashku me Kurtin kanë qenë në këtë pishinë rreth orës 07:00 të mëngjesit, duke potencuar se bëhet fjalë për pronë publike dhe se Kurti nuk ka qenë në ndonjë resort luksoz apo gjatë orarit të punës.
“Kemi qenë në ora 07:00 të mëngjesit dhe me siguri do të jemi edhe herave tjera, pse jo. Kjo është pronë publike që kryeministri e frekuenton, është njëra prej pishinave që, po themi, s’ka pasur investim prej vitit 1975 dhe po përpiqem që ta ketë të ardhmen. Nuk ka qenë në ndonjë resort luksoz dhe as në orarin e tij të punës”, ka deklaruar Hoti në T7

I pyetur mbi reagimin e deputetes Mulisu, ai ka thënë se nuk e kishte ditur se deputetë e PDK-së do të ishin në Kuvend.
“Po më vjen keq, nuk e kemi ditur që aty do të jenë deputetë e PDK-së”, ka thënë Hoti, duke shtuar se edhe nëse do ta dinin, nuk do ta ndryshonin planin e tyre.
Më herët, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kishte kritikuar Kurtin pasi, sipas saj, në orët e mëngjesit ai ndodhej në një pishinë në Banjë të Malishevës, ndërsa ajo dhe kolegë të tjerë po e prisnin para ndërtesës së Qeverisë.
Musliu kishte shkruar se Kurti ishte bashkë me deputetët e Vetëvendosjes, Gani Krasniqi dhe Valon Hoti, ndërsa kishte kritikuar edhe praninë e pjesëtarëve të sigurimit rreth tij.





