“Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës dhe parandaloi një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş në 1-vjetorin e sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan.
Në 29 majin e vitit të kaluar, ushtarët e KFOR-it u sulmuan gjatë protestave të dhunshme nga serbët në Zveçan.
Në reagimin e KFOR-it në njëvjetorin e këtij sulmi theksohet se 93 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën në atë kohë, disa prej të cilëve me lëndime të rënda, dhe këto sulme, sipas tyre, ishin të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme.
Me këtë rast, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, thekson se guximi i ushtarëve të KFOR-it ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës.
“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandaloi një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it.
KFOR-i tutje thekson se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës për këtë sulm, duke shtuar se që nga trazirat në veri kanë dislokuar rreth 1000 trupa shtesë në Kosovë.
“Pas dhunës kemi dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ne kemi rritur patrullimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, ka vijuar Ulutas.
Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë.
Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët