Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme e shtunë, nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për nesër nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.
Ministria thekson se do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të parashikimeve meteorologjike dhe se qytetarët, si dhe operatorët ekonomikë, do të njoftohen me kohë për çdo rast kur krijohen kushtet për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.
Kujtojmë se të mërkurën, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoi qytetarët dhe operatorët ekonomikë se ministri Dimal Basha ka marrë vendim për vendosjen e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.






