Nelson Hysa dorëzohet në rundin e dytë, lëshon rastin për titullin e botës

- Advertisement -

Boksieri shqiptar Nelson Hysa është mposhtur nga gjermani Agit Kabayel në përballjen e zhvilluar sonte në Merkur Spiel-Arena të Dyseldorfit, në Gjermani.

Hysa u përball me Kabayelin në një duel për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë, nën organizimin e Këshillit Botëror të Boksit (WBC), raporton Klankosova.tv.

Nelson Hysa e dorëzoi meçin në rundin e dytë.

Sipas informacioneve jozyrtare, supozohet se Hysa pësoi lëndim në krah, çka e bëri të dorëzonte meçin.

Për boksierin shqiptar kjo ishte një mundësi për të fituar titullin më të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale dhe për t’u bërë kampioni i parë shqiptar i botës në kategorinë e rëndë.

Para kësaj përballjeje, Hysa kishte një rekord të pamposhtur prej 25 fitoresh në boksin profesionist, 23 prej të cilave me nokaut.

Në anën tjetër, Kabayel hynte në këtë duel me bilanc prej 27 fitoresh dhe pa asnjë humbje, ndërsa ishte në mbrojtjen e parë të titullit të plotë të kampionit të botës në versionin WBC.

Me këtë fitore, Kabayel vazhdon të mbajë titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë.

Të ngjashme

Të fundit