“Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit”- Vuçiq e kalon vijën e kuqe, BE hesht

- Advertisement -

Në shtatorin e vitit 2018, erdhi vet ta shoh nga afër.

E nga Veriu i Kosovës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, tha se Liqeni i Ujmanit ka rëndësi të veçantë për serbët dhe shqiptarët.

E 8 vite me vonë, deklaratave rreth këtij liqeni në territorin e Kosovës, Vuçiq iu kthye sërish.

Madje, për të tha se Serbia po i mbledh ekspertë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

E kjo deklaratë e presidentit serb, nxiti reagimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e sistemit jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore do të kishte pasoja shumë më tej përtej çështjeve teknike. Do të prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës. Diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në vendet ku shërbejnë”, u shpreh Haxhiu.

Për këtë deklarim të Vuçiq, Tëvë1 të hënën ka dërguar pyetje edhe në Bashkimin Evropian.

Por të njëjtit, nuk kanë kthyer përgjigje.

E reagimi i tyre, sipas njohësve të ligjit në Kosovë, do duhej të ishte i menjëhershëm.

…Kam përshtypjen që më tepër ndoshta bëhet për qëllime elektorale, sepse siç dihet tashmë shumë shpejt do të ketë zgjedhje në fqinjin tonë verior. Mirëpo kjo është për keqardhje dhe për rrjedhojë natyrisht që edhe si deklaratë e thënë, pavarësisht që nuk besoj që do të ketë ndonjë impakt, sepse në instancë të fundit do të jetë e pamundur edhe në kuptimin teorik me ndodhë, por megjithatë duhet si e tillë të dënohet nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, sepse mbi të gjitha është një qasje absolutisht e papranueshme”, tha Ardian Bajraktari avokat.

E ekspertët e sigurisë, thonë se Vuçiq mund të kalojë edhe në veprime konkrete.

“Për shkak se Kosova nuk është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, nuk është anëtare e kombeve të bashkuara, kërcënimi është permanent për arsye se këtë konsilacionin e qetësisë në Kosovë e ruan prania e KFOR-it dhe kërcënimi që organizata ndërkombëtare e mban karshi Serbisë, e raporti i Kosovës me ndërkombëtarët është zbeh atëherë nga ky shkak Vuçiq e bënë këtë kërcënim dhe kjo nuk është çudi se mundet të avancojë në veprime konkrete”, thotë Fadil Kajtazi, eksperti i sigurisë.

Ndryshe, Liqeni i Ujmanit përveç furnizimit me ujë të pijshëm për disa komuna në Kosovë, shërben edhe për ftohjen e termocentraleve si dhe ujitjen e tokave bujqësore dhe prodhimin e rrymës.

Të ngjashme

Të fundit