Mustafa i PDK-së: Kurti në ilegalitet të plotë, nuk përjashtohen protestat për ta ndalur

- Advertisement -

Arben Mustafa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës,  ka folur për qasjen e partisë së tij ndaj situatës aktuale politike dhe për veprimet që opozita mund të ndërmarrë në periudhën e ardhshme.

Sipas tij, PDK-ja po shqyrton një formë më të intensifikuar të veprimit politik, përfshirë edhe angazhimin jashtë institucioneve. Ai tha se protestat mbeten një prej mjeteve demokratike që partia nuk i përjashton.

“Ajo që ne po bëjmë sot për partitë opozitare ekzistuese është një standard tjetër, që deri më tani nuk e kemi përdorur. Si duket zoti Kurti i ka shtyrë limitet, dhe ne kemi vendosur të dalim edhe jashtë institucioneve. Nuk i përjashtojmë protestat. Ne po punojmë për senzibilizimin e opoinionit njëherë, por protestat nuk i përjashtojmë, si mjet demokratik”, tha Mustafa për Nacionalen.

Gjatë intervistës, deputeti i PDK-së foli edhe për dallimet konceptuale ndërmjet partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht në mënyrën se si dy subjektet e shohin ekonominë dhe rolin e shtetit në të.

Në pjesën e fundit të intervistës, Mustafa u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, duke shprehur bindjen se vendimi i pritur më 16 shtator do të sjellë kthimin e tyre në Kosovë.

“Unë jam i sigurt se 16 shtatori do të jetë ditë e madhe feste për të gjithë qytetarët e Kosovës. 16 shtatori nuk është një datë e zakonshme për Kosovën. Ne presim që liderët tanë, jo veç të PDK-së, por liderët e Kosovës, të kthehen në shtëpi”, deklaroi Mustafa.

Të ngjashme

Të fundit