Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, e ka ftuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, në debat publik për projektin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, duke e bërë Ministrinë e Financave përgjegjëse për bllokimin e tij.
Në një konferencë për media, Musmurati ka thënë se Komuna e Prishtinës, Kompania Rajonale e Pastrimit “Pastrimi” dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) i kanë përmbushur të gjitha obligimet e tyre dhe se nuk ka vërejtje nga banka ndaj këtyre dy institucioneve.
Sipas saj, pengesa e vetme për realizimin e projektit mbetet Ministria e Financave, e cila ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë.
“Kompania ‘Pastrimi’, Komuna e Prishtinës dhe KfW-ja gjermane jemi të gjitha në një linjë. Ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona. Nuk ka asnjë vërejtje nga KfW-ja, as për komunën, as për ‘Pastrimin’. Vërejtja e vetme nga KfW-ja është për Ministrinë e Financave që nuk po e nënshkruan kredinë”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo i është drejtuar drejtpërdrejt ministrit Hekuran Murati, duke e ftuar në një debat publik për këtë çështje.
“E ftoj ministrin në debat politik, kudo dhe kurdo që do, për t’u ballafaquar për këtë temë, sepse me të vërtetë është tema kryesore sot për gjithë qytetarët e Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës nuk e meritojnë një trajtim të tillë”, ka thënë Musmurati.






