Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në emisionin “Click” të RTV21 ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të zhvillojë më takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Musliu-Shoshi tha se PDK-ja nuk do të zhvillojë bisedime me Kurtin për asnjë çështje, përfshirë edhe atë të presidentit.
“Partia Demokratike e Kosovës më nuk takohet me Albin Kurtin, asnjëherë. Nuk do të flasim për asgjë, as për presidentin”, deklaroi ajo.
Musliu-Shoshi foli edhe për kreun e PDK-së, Bedri Hamza, duke thënë se ai ka qenë lideri i parë që i është përgjigjur pozitivisht çdo ftese të Albin Kurtit.
Sipas saj, Hamza ka vazhduar të marrë pjesë në takime deri në momentin kur është bindur se nuk ekziston mundësi për bashkëpunim.
“Bedri Hamza ka qenë i pari lider që iu ka përgjigjur pozitivisht çdo ftese të Albin Kurtit, bash çdo ftese të Albin Kurtit. Deri në momentin kur e ka parë që nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi”, tha Musliu-Shoshi.
Ajo pretendoi se një nga arsyet e këtij qëndrimi lidhet me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se, sipas saj, për Kurtin presidenti duhej të vinte nga radhët e Vetëvendosjes.
“Deri në momentin kur e ka parë që president për Albin Kurtin duhet të jetë nga zyrat e Vetëvendosjes”, u shpreh ajo.






