Musliu-Shoshi: PDK hyn e vetme në zgjedhje, nuk ka pasur kërkesë për koalicion nga Nisma

- Advertisement -

Ish-deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se subjekti i saj politik do të garojë e vetme në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë iniciativë për koalicion nga partitë tjera, përfshirë edhe Nismën Socialdemokrate.

Sipas saj, vendimi që PDK-ja të hyjë pa partnerë në garë tashmë është marrë nga partia.

“Për këto zgjedhje do të ketë edhe prurje të reja të tjera në PDK. Mirëpo, përveç prurjeve të reja, ne deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë që të kemi koalicione me ndonjërën prej partive. Dje, kemi vendosur që PDK-ja të shkojë e vetme në garë. Nuk kemi pranuar kërkesë për bashkëpunim nga Limaj dhe si rrjedhojë nuk kemi pse ta diskutojmë një çështje kur nuk ka asnjë iniciativë nga ana e Nismës”, deklaroi ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ajo ka bërë të ditur se në PDK priten edhe emra të rinj në listën zgjedhore, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë e surprizave politike në ditët në vijim.

Musliu-Shoshi ka thënë se zgjedhjet e ardhshme i konsideron vendimtare për drejtimin politik të vendit, duke i cilësuar ato si përballje mes demokracisë parlamentare dhe, sipas saj, një mendësie autokrate.

“Ne do të kemi mbledhje për të diskutuar listën e deputetëve që do të dorëzohet në afatin e caktuar dhe deri atëherë mund të ketë edhe ndonjë befasi. Këto zgjedhje ndryshojnë nga zgjedhjet që i kishim, sepse duhet që qytetari të vendos në mes të një demokracie parlamentare dhe në mes të një mendësie autokrate. Këto zgjedhje janë vendimtare për drejtimin e Republikës sonë, prandaj vlerësoj që programi i PDK-së, lista e kandidatëve për deputetë dhe kandidati ynë për kryeministër janë ata që Kosovës ia garantojnë demokracinë parlamentare”, tha ajo.

Të ngjashme

Të fundit