Musliu-Shoshi: Kurti po e largon Kosovën nga agjenda evropiane, raporti i KE-së evidenton mungesën e reformave

- Advertisement -

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të progresit në procesin e integrimit evropian, duke iu referuar gjetjeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Përmes një postimi, Musliu-Shoshi ka theksuar se raporti evidenton hendekun ndërmjet deklaratave dhe premtimeve të Qeverisë për integrim evropian dhe rezultateve konkrete në terren.

Sipas saj, mungesë përparimi vërehet në disa fusha, përfshirë funksionimin e gjyqësorit, kontrollin financiar, mjedisin, bujqësinë dhe transformimin digjital. Ajo ka përmendur gjithashtu rezultatet e dobëta në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngecjen e reformave në shëndetësi.

Musliu-Shoshi ka ngritur shqetësime edhe për raportin e zyrtarëve të lartë qeveritarë me mediat dhe gazetarët, duke theksuar se raporti evidenton akuza dhe gjuhë të ashpër ndaj tyre, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Ajo ka vlerësuar se liria e medias është standard evropian dhe detyrim demokratik, ndërsa ka kërkuar që pushteti t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe të mos i diskreditojë ata.

Në reagimin e saj, deputetja e PDK-së ka kritikuar edhe mungesën e përgjegjësisë institucionale, duke theksuar se rekomandimet e Komisionit Evropian po përsëriten, ndërsa qytetarët po i bartin pasojat e mungesës së reformave.

“Kosova e ka vendin në Evropë, por çdo vit i humbur nga kjo qeverisje është një tjetër mundësi e humbur për t’u afruar me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Musliu-Shoshi.

Të ngjashme

Të fundit