Musliu: Kurti ka kapur qeverinë, presidencën, kuvendin dhe grupin parlamentar të LVV-së

- Advertisement -

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se partia e saj do të vazhdojë të qëndrojë në kuvend deri në konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Musliu tha se PDK-ja, për të gjashtën ditë radhazi, po i bën thirrje deputetit Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, që të kthehet në kuvend dhe të marrë pjesë në procesin e konstituimit të institucioneve.

“Me PDK-në jemi këtu për të gjashtën ditë radhazi, që t’i bëjmë thirrje deputetit Albin Kurti, njëherësh kryetarit të VV-së, që të kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe t’u konstituojë institucioneve të vendit, për çka ka marrë mandatin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës”, tha Musliu.

Ajo kritikoi Kurtin thënë se e ka në kontroll qeverinë, presidencën, kuvendin dhe grupin parlamentar të LVV-së, ndërsa, sipas saj, deputetët e kësaj partie nuk po marrin pjesë në procesin e konstituimit.

“Albin Kurti ka kapur qeverinë, presidencën, kuvendin dhe, mbi të gjitha, edhe grupin parlamentar të LVV-së, të cilët nuk kanë guxim të vijnë për ta konstituar kuvendin”, u shpreh ajo.

Musliu theksoi se PDK-ja nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj dhe do të vazhdojë të jetë e pranishme në kuvend.

“Nuk do të ndalemi. Kosova ka nevojë sot më shumë se kurrë që t’i ketë këto institucione. Prandaj, PDK-ja vazhdon të qëndrojë me bindjet e saj. Sot dhe çdo ditë do të jemi këtu, deri në konstituimin e kuvendit”, përfundoi Musliu

Të ngjashme

Të fundit