Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se vrasja e Arlinda Zekajt, e cila e kishte paralajmëruar shtetin për fundin e saj tragjik dhe kishte kërkuar mbrojtje institucionale, është “dëshmia më e dhimbshme e dështimit të sistemit tonë”.
Musliu tha se të martën ka kërkuar që në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë ka kërkuar të ftohet për raportim drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha. Tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ishin kundër.
“Të martën kërkova që drejtori i Policisë të ftohet në Komision për Çështje të Sigurisë për të raportuar lidhur me këtë rast. Anëtarët e Vetëvendosjes votuan kundër”, tha ajo.
“Unë pyes sot para jush: nëse nuk kërkojmë llogari kur një grua humb jetën, atëherë kur duhet të kërkojmë llogari?”, tha Musliu.
Deputetja tha se do të kërkonin nga shefi i Policisë “transparencë, përgjigje dhe përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim që mund të ketë ndikuar në këtë fatalitet”.
Musliu tha se do ta ftojnë sërish për raportimin e drejtorit të Policisë.






