Teksa në fshatin Kalludër të Zubin Potokut po vazhdojnë gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen për përpjekjet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, vendosjen e drejtësisë dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
Përmes një postimi në platformën X, kjo ministri theksoi se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura.
“Zbulimi i një varreze tjetër masive në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura. Çdo zbulim i tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Mbetjet mortore të zbuluara janë një kujtesë e qartë e krimeve të kryera dhe e domosdoshmërisë që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen, ndërsa drejtësia të vihet në vend”, thuhet në postim.
Ministria theksoi se për familjet që kanë pritur për më shumë se dy dekada të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, “çdo identifikim është një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë”.
“Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, për të vendosur drejtësinë dhe për të ruajtur të vërtetën historike. Pa të vërtetën, nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm”, përfundon reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.






