MPB e Maqedonisë së Veriut konfirmon vdekjen e tre personave nga Kosova

- Advertisement -

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se rreth orës 01:00 të së hënës (20 korrik 2026) janë gjetur tre persona të vdekur në një veturë të përmbysur.

Sipas MPB-së, më 19 korrik, rreth orës 22:35, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit ndodhej një automjet i përmbysur i markës “Mercedes” me targa gjermane.

“Menjëherë në vendin e ngjarjes janë dërguar zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të pajetë, një mashkull dhe dy femra. Vdekjen e ka konstatuar një ekip i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Autoritetet maqedonase bëjnë të ditur se më herët, rreth orës 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar, një shtetas i Kosovës kishte raportuar zhdukjen e tre personave. Kontakti i fundit me ta ishte më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ndodheshin në Aeroportin e Shkupit.

 

Të ngjashme

Të fundit