Jose Mourinho e ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e Endrickut, duke folur për sulmuesin brazilian pas fitores 3-0 të Real Madridit ndaj Valencias në “Mestalla”.
Sipas gazetës “Sport”, trajneri portugez i ka dërguar një mesazh të qartë përzgjedhësit të Brazilit, Carlo Ancelotti, sa i përket sulmuesit.
Mourinho dëshiron që futbollisti i tij të ketë minuta gjatë pushimit të ardhshëm për ndeshjet e kombëtareve. Ai nuk do të kishte asnjë kundërshtim nëse kjo do të ndodhte larg “Santiago Bernabeut”.
“Mendimi im është i qartë, dua që Endrick të luajë. Nëse Ancelotti e aktivizon gjatë pushimit të ardhshëm për ndeshjet e kombëtareve, do të jem i lumtur”, ka deklaruar Mourinho.
Këto komente marrin vëmendje të veçantë duke pasur parasysh rolin e kufizuar që Endrick ka te “Los Blancos”.
Trajneri duket i gatshëm që Ancelotti t’ia japë futbollistit të ri mundësinë për të luajtur, të cilën deri më tani nuk ka arritur ta fitojë në Madrid.
Statistikat tregojnë qartë situatën e brazilianit. Endrick ka luajtur vetëm 141 minuta zyrtare këtë sezon, të ndara mes La Ligës (85 minuta) dhe Ligës së Kampionëve (56 minuta).
Ai ka regjistruar shtatë paraqitje, një gol dhe një asistim. Vetëm në njërën prej tyre ka qenë titullar. Një aktivizim mjaft i kufizuar për një futbollist që u rikthye te Real Madridi pasi kishte rigjetur vetëbesimin dhe një rol të rëndësishëm gjatë huazimit në Francë.
Endrick e përfundoi fuqishëm pjesën e dytë të sezonit të kaluar me Olympique Lyonnais. Ai shfrytëzoi në maksimum huazimin për të rikthyer vetëbesimin, duke shënuar tetë gola dhe dhënë tetë asistime në 21 ndeshje. Këto statistika kishin rritur pritshmëritë për rikthimin e tij në “Bernabeu”.
Dukej se sulmuesi do të kthehej me mjaftueshëm cilësi për të fituar një vend në planet e Mourinhos. Megjithatë, konkurrenca ia ka vështirësuar edhe më shumë mundësitë.
Ardhja e Carlos Espí dhe transferimi i Yan Diomandes kanë ngushtuar edhe më shumë hapësirën për Endrickun.
Mourinho ka shumë alternativa në repartin ofensiv dhe braziliani nuk ka arritur të sigurojë një vend të qëndrueshëm në rotacionin e skuadrës. Një situatë kjo që bie ndesh me nivelin e treguar prej tij në Francë.
E ardhmja e tij në “Bernabeu” ishte vënë në pikëpyetje edhe gjatë ditëve të fundit të afatit kalimtar veror.
Roma ishte shumë pranë transferimit të tij në formë huazimi, por Mourinho ndërhyri, ndaloi marrëveshjen dhe vendosi ta mbante në skuadër.
Publikisht, trajneri portugez e mbrojti potencialin e futbollistit dhe theksoi se çdo klub i interesuar do të duhej të përballej me të për ta siguruar shërbimin e tij.
Mungesa e minutave e ka rikthyer në diskutim të ardhmen e Endrickut. Mediat nuk e përjashtojnë mundësinë e një huazimi në janar, nëse situata nuk ndryshon gjatë javëve të ardhshme.
Roma vazhdon ta përcjellë nga afër brazilianin, ndërsa interesim për të kanë shprehur edhe disa klube të tjera.






