Mjekja e Xhakës: “E kam vaksinuar siç duhet”

- Advertisement -

Mjekja Andrea L. (54-vjeçe), e cila i ka lëshuar Granit Xhakës certifikatën e diskutueshme të vaksinimit kundër COVID-19, ka deklaruar se futbollisti në të vërtetë është vaksinuar.

“E kam vaksinuar Xhakën siç duhet”, ka thënë ajo për “Blick”, duke këmbëngulur se certifikata e lëshuar prej saj është e vërtetë.

Deklarata e saj vjen pasi Xhaka pranoi të hënën se kishte blerë një konfirmim vaksinimi.

“Ndjeja një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i mbushur me frikë dhe pasiguri. Në këtë gjendje të trazuar emocionale, bleva një konfirmim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia të hapura në mënyrën e paraparë. Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte gabim. Më vjen keq për këtë”, deklaroi Xhaka.

Sipas mjekes, Xhaka ishte infektuar me COVID-19 në fillim të vitit 2021 dhe kishte antitrupa. Për këtë arsye, sipas saj, vaksinimi i parë ishte paraparë si dozë përforcuese dhe vetëm një dozë ishte e nevojshme.

“Granit Xhaka na është drejtuar në fillim të vitit 2022 për të marrë një certifikatë COVID-i”, ka thënë mjekja.

Ajo shtoi se “meqë ai tashmë kishte antitrupa, vaksinimi i parë ishte paraparë si dozë përforcuese”.

Sipas saj, për këtë arsye ishte e nevojshme vetëm një dozë vaksine dhe më pas ajo ia kishte lëshuar certifikatën.

Pra, sipas versionit të mjekes, për certifikatën mjaftonte vetëm një vaksinim, por ajo këmbëngul se ky vaksinim kishte ndodhur realisht.

Mjekja ka mohuar gjithashtu se është skeptike ndaj vaksinimit.

“Kam qenë ndër personat e parë në Lucernë që janë vaksinuar. COVID-in e kam trajtuar me shumë respekt. Nuk isha skeptike ndaj vaksinimit”, ka thënë ajo.

Sipas “Blick”, policia e kishte kontrolluar ordinancën e saj në vitin 2023 dhe kishte sekuestruar prova. Gjatë kontrollit, ishte gjetur edhe një dosje me emrin e Granit Xhakës.

(Emri i mjekes është ndryshuar nga redaksia e “Blick”)

Të ngjashme

Të fundit