Mustafa: Nuk frikësohem që emri im u përmend në aktgjykimin e Hagës

- Advertisement -

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se përmendja e emrit të tij në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk i shkakton shqetësim.

Duke folur në Debat Plus, Mustafa tha se për të, më e rëndësishme është vetë aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si të padrejtë.

“Verdikti i keq që u dha për bashkëluftëtarët tanë i bën të parëndësishme kush përmendet, çfarë thuhet dhe çfarë ngrihet mbi atë dokument, mbi atë urdhër aktgjykimi që u lexua më 16 shtator. Krejt rëndësitë tjera humbin, e rëndësishme është që është aktgjykim i padrejtë”, ka thënë Mustafa.

Emri i Mustafës, së bashku me emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit, është përmendur në aktgjykimin e 16 shtatorit, ndonëse ata nuk ishin të pandehur në këtë rast.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara tha se këta persona ishin anëtarë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Mustafa tha se nuk e sheh përmendjen e emrit të tij si diçka që duhet ta shqetësojë.

“Nuk më bën dëm mua që u përdor emri. Unë jam mik me ata që u dënuan. Nuk kam pse të frikësohem”, është shprehur ai.

Duke folur për luftën e UÇK-së, Mustafa tha se ajo kishte zgjatur për një periudhë të shkurtër dhe se, sipas tij, karakteri i saj ishte më shumë politik.

“Ishte moment i shkurtër lufta e UÇK-së. Lufta jonë ka qenë më shumë politike. Që kemi pas armë, që krismat tona të nihen tek miqtë tanë, tek shtetet e qytetëruara, të cilat u përgjigjën dhe na erdhën në ndihmë”, ka deklaruar Mustafa.

Të ngjashme

Të fundit