153 milionë euro pritet të jetë buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes gjatë vitit 2024.
Kjo u bë e ditur nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se rritja e buxhetit prej 30 milionë euro nga viti paraprak, tregon përkushtimin e tyre në fushën e sigurisë.
E nga ky dikaster, thonë se me këto investime janë në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në Partneritet për Paqe, por edhe NATO.
“Theksojmë se totali i buxhetit të ndarë për çështje të mbrojtjes në fund të vitit 2022 ka arritur vlerën prej 1.6% të GDP-së, nga 2% të paraparë nga Këshilli i NATO-s. Vlerë kjo që është përmbushur deri më tani vetëm nga shtatë shtete në mesin e tridhjetë e një shteteve pjesë të kësaj aleance, por nuk është ky kriteri i vetëm përcaktues për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe, pasi nuk është vetëm ushtria por shteti që bëhet pjesë e këtij programi. Sigurisht vlerësojmë se jemi në rrugën e duhur për të përmbushur këtë synim, shpresojmë që sa më parë të ndodh kjo”, thonë nga Ministra e Mbrojtjes.
Ky veprim po mirëpritet edhe nga njohës të fushës së mbrojtjes.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se kjo ndikon në plotësimin e kritereve për anëtarësim në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.
Gjenerali Kastrati vlerëson po ashtu se përkundër plotësimit të kushteve, nevojitet dhe një vendim politik për anëtarësim në Partneritet për Paqe si parakusht për t’u bërë pjesë e NATO-s.
E një ish-kolonel ushtarak, e quan lajm të mirë rritjen e buxhetit për ushtrinë, por që thotë se nuk është e mjaftueshme marrë parasysh zhvillimet e sigurisë në rajon.
Transformimi i FSK-së në forca të armatosura ka nisur më 2018, me synimet që të përmbyllet brenda 10 vjetëve. Ndërkohë, synimet e Kosovës janë që të ketë një ushtri moderne, anëtare në Partneritetin për Paqe, si hapi i parë drejt anëtarësimit në NATO.