Analisti Lirim Mehmetaj ka kritikuar aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se, sipas tij, nuk ka një shpjegim të qartë për lidhjen mes dënimeve, viktimave dhe krimeve për të cilat janë shpallur fajtorë.
“Shanse nuk ka. Nuk ekziston sot njeri në Kosovë që e kupton pse u dënuan. Nuk ekziston që thotë ‘Po e kuptova ndërlidhjen e të dënuarve me viktimat ose krimet e përmendura’”, ka deklaruar Mehmetaj në Debat Plus.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar përgjegjësia e Kadri Veselit në aktgjykim.
“Sa barbare në metodë është kjo gjykatë. Në pikën 91, faqe 24, të fjalës së Charles Smith sot, kur e akuzon Veselin edhe se mori pjesë personalisht në krime, jo vetëm në rolin e tij, por e akuzon personalisht për kryerje të krimeve”, ka thënë Mehmetaj.
Mehmetaj ka përmendur edhe një shkresë të datës 17 qershor 2021, të cilën ia atribuon Jack Smithit, atëherë prokuror dhe një prej hartuesve të aktakuzës.
Sipas Mehmetajt, në pikën 11 të kësaj shkrese, në përgjigje të avokatit të Kadri Veselit, thuhej se Veseli nuk ishte akuzuar drejtpërdrejt për kryerjen e krimeve.
“Personi që e ka hartuar aktakuzën thotë se Veseli në aktakuzë nuk është i akuzuar direkt për kryerje të krimeve. Sot thuhet se është i përfshirë personalisht në kryerjen e krimeve”, ka deklaruar ai.
“E dhimbshme të shohësh një padrejtësi që po ndodh para syve”, ka theksuar Mehmetaj.






