Era e fuqishme që përfshiu sonte Kosovën shkaktoi dëme në disa pjesë të vendit.
Dëme janë raportuar në Krushë të Madhe të Rahovecit.
Irfan Berisha – Drejtor i Drejtorisë për Emergjenca ka njoftuar se është dëmtuar kulmi i një biznesi.
Ai ka bërë të ditur se kanë intervenuar ekipet e zjarrfikësve dhe kërkim shpëtimit.
“Si pasojë e erërave të forta, në fshatin Krushë e Madhe është dëmtuar kulmi i një biznesi, ku llamarinat dhe pjesë të tjera të kulmit janë zhvendosur nga era në rrugën Gjakovë–Prizren, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik. Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit ka intervenuar me kohë, duke larguar llamarinat dhe mbetjet e kulmit nga rruga. Pas ndërhyrjes, rruga është liruar plotësisht dhe qarkullimi është rikthyer në normalite”, ka shkruar ai.
Edhe në magjistralen Prishtinë-Pejë në fshatin Vragoli, erat e forta kanë rrëzuar njërën nga dritat që janë në mes të rrugës duke bllokuar magjistralen për pak minuta.
Probleme nga era janë raportuar edhe në Prizren. Në Shadërvan, fuqia e erës ka rrëzuar dhe dëmtuar tavolinat dhe karriget e vendosura jashtë lokaleve të gastronomisë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të fryjë erë e fuqishme me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë.






